NËNTORI DHE SUBJEKTI EMANCIPUES I ARTIT nga Metin Izeti

Muaji nëntor në gjenin shqiptar ka një vend të veçantë nga aspekti i ndërtimit të identitetit të
mirëfilltë si dhe në kontekst të vendzënies së idesë së pavarësisë në latitudën shoqërore të
kombeve. Nuk ka dyshim se arti, në esencën e tij, ka qenë dhe do të jetë, forma më e përkryer e
shprehjes së imagjinatës krijuese si dhe ndjenjës së komunitetit në arenën e kombeve botërore.
Kjo platformë e përgjithshme e artit është edhe gjeneratori kryesor i shoqatës “Draudacum” në
organizimin e një ekspozite cilësore me rastin e festave të nëntorit. Krahas kësaj edhe veprat
artistike të zhanreve të ndryshme të paraqitura në këtë ekspozitë janë të udhëhequra nga
imagjinata krijuese e kombit shqiptar duke e patur në epiqendër subjektin emancipues të artit në
trojet shqiptare.
Arti, i prezantuar në punimet e autorëve të ndryshëm, si formë jete identifikohet me jetën, ose,
më saktë, me ‘kufijtë’ dhe metamorfozat e materies, që ka të bëjë me idetë fillestare të
avangardës së shekullit të njëzetë, “organizimin tejlëndor dhe lëndor të individëve” si kusht për
prodhimin e mjeteve të jetës dhe (formës së) vetë jetës. “Kombi tani është një makinë,” thotë
Negri në një prej letrave të tij, “në të cilat janë gdhendur prodhimet dhe arti”. Fundi i viteve
tetëdhjetë të shekullit të kaluar tregon kooptimin e shpejtë dhe dydimensional të këtyre
këndvështrimeve, pra, nga njëra anë, pozicionet antihumaniste në gjurmët e “kthesës
gjuhësore” në filozofi dhe estetikë (formimi diskursiv (Foucault), mungesa e tjetrit (Lacan), efekti
i shkronjës (Derrida), dhe, nga ana tjetër, është preokupimi me vendzënien shoqërore dhe
ndikimin në idenë për ekzistencën reale të kombeve (në këtë rast shqiptarëve) në hemisferë.
Në këtë kontekst veprat e prezantuara në ekspozitën paraqesin një praktikë emancipuese dhe
në përgjithësi si humanizëm estetik, reduktohen në një kërkesë parlamentare globale për të
emërtuar lirinë (artistikisht) praktike. Në një plejadë të tillë, arti shfaqet në shërbim të
universalizmit: vendoset, në mënyrë jashtëzakonisht esencialiste, në një kontekst kulturor të
njohur, më së shpeshti i profilizuar gjeopolitikisht, në një kryqëzim me rrëfimin autobiografik të
autorëve, nga ku buron besimi, se vetëm i përket relacionit ndryshim i rregullit dhe ndryshime në
nivel të kontekstit (historik apo gjeopolitik) të aktualizimit të tij. Në fakt, kjo situatë është esenca
e avangardës – ku ofrohen artefaktet e një gjelle të lirë eklektike, dhe na e shton bindjen për
avangardën e vërtetë. Një praktikë (emancipuese) e artit, nëse përdorim fjalët e Lukács-it,
përkundrazi, gjithmonë përpiqet të luftojë me mjetet e veta kundër prirjeve që kërcënojnë të
skematizojnë mjedisin shqisor dhe shpirtëror të njeriut, si dhe procedurat e fetishizimit dhe
objektivizimit. Arti si praktikë emancipuese, pra, nënkupton atë art që ka aftësinë të “shfuqizojë
të dhënat e pezulluara, të fetishizuara të jetës”. Ky fetishizëm dhe “objektivizëm”, që në realitet
është vetëm verbal dhe i mbron idetë a priori të humanizmit është në shërbim të mënjanimit të
fetishishizimit dhe subjektivizmit të avancuar të fqinjëve të shqiptarëve. Si rrjedhojë, arti prej “një
kafazi të vogël të lirisë kalon në një hapësirë të madhe të lirisë” dhe karakteri emancipues i tij ec
në krijimin e ideve gjenerative të reja.
Kjo gjendje estetike e guximit dhe vullnetit i nxjerr në pah edhe sot perspektivat e mundshme të
të menduarit emancipues të artit, duke i shpallur ato “bashkëkohore” dhe “ideale të qarta të
përditshmërisë”, ose, zakonisht si avangardë dhe imagjinatë krijuese.
Veprat e ekspozitës së nëntorit paraqesin një formë të humanizmit estetik që krijon optimizmin
për ardhmëri me dritë. Nga të gjitha këto teza del se praktika emancipuese e artit presupozon
një distancë specifike estetiko-shpirtërore – një dimension emancipues. Pra, arti është një
“grumbullim i forcave shpirtërore dhe trupore” të përfshira në praktikën pedagogjike, me kusht
që praktika ose edukimi pedagogjik të mos ankorohet në didaktikën e shqisave, por edhe në
procesin e imagjinatës dhe shpërndarjen e formave të njohurive në atë mënyrë që një e vërtetë
të fitojë mundësinë e “kalimit”, e hapjes së një vrime në shpellën e Platonit, e thyerjes së një
diskursi të caktuar, regjimi, disponimi të dijes.
Mendoj se riaktualizimi i konceptit emancipues të artit tek shqiptarët, do të ishte që arti,
tërësisht, të mos mbështetet në imazhe të njohura të së shkuarës, as në imazhe të largëta

projektive utopike të së ardhmes, por të krijojë mundësitë e formësimit aktual, që do të bazohej
jo vetëm në materien, por edhe në mbi dhe meta materien, sepse vetëm një praktikë e tillë ka
aftësinë për korrigjim dhe mprehje esenciale, pa “dëmtuar karakterin e katarzës” dhe distancën
estetike në kohë dhe hapësirë.

Metin Izeti