ÇMIMI I NËNTORIT 2019 nga Reshat Ameti

Shoqata “Draudacum” këtë vit feston 20 vjetorin e ekzistimit, që është një raritet në këto hapësira kulturore. Me aktivitet të palodhshëm të anëtarëve të shoqatës, të kryesive në dy dekadat dhe gjithashtu me ndihmesën e institucioneve shtetërore dhe kulturore, dashamirë të artit, shoqata u transferua në një institucion të vërtetë të artit pamor. Me veprimtarinë e vet përgjatë dy dekadave, e ka, zhvilluar, kultivuar artin pamor. Gjithashtu shoqata gëzon renome të jashtëzakonshëm në hapësirat kulturore dhe trajtohet si një ndër shoqatat më aktive dhe më të fuqishme të artit pamor në R. e Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë.

Shoqata edhe këtë vit vazhdon me traditën e prezantimit të vlerave të artit pamor. Një ndër ekspozitat që ka lënë gjurmë dhe me traditë të shkëlqyer, është ekspozita tradicionale “Çmimi i Nëntorit” e cila jo vetëm që prezanton vlerat e artit pamor por është bërë edhe pjesë organike të festave të nëntorit.

Është e njohur që në këtë ekspozitë të defilojnë artistë të dëshmuar, veteranë të artit pamor, artistë me relevancë artistike vendore dhe botërore. Кujdes të veçantë, shoqatа i kushton edhe promovimit të artistëve të rinj, artistë që për herë të parë e fillojnë rrugëtimin e tyre në botën e artit.

Në ekspozitën tradicionale, si gjithmonë janë prezente vepra nga artistë nga të gjitha hapësirat kulturore shqiptare, si: Maqedonia, Kosova, Shqipëria, si dhe nga diaspora. Të pranishme janë veprat artistike me prejardhje nga lëmenj të ndryshëm të artit pamor: pikturë, grafikë, skulpturë, fotografia artistike, dizajni grafik etj. por nuk mungojnë as vepra me karakter eksperimental.

Vërehet qartë se në ekspozitën e radhës ka pasuri të filozofive të ndryshme artistike dhe mesazhe të llojllojshme estetike, dhe si gjithmonë fillon nga realja, asociativja dhe deri tek abstraksioni. Në tërësi, në këtë ekspozitë kemi vepra artistike me vulë personale artistike, vepra me kreativitet te theksuar artistik, eksperimente, kërkime etj.
Edhe veprat nga artistë të rinj na dëshmojnë se ardhmëria e artit pamor shqiptar është në rrugë të duhur.

Ekspozita “Çmimi i Nëntorit” ka edhe misionin fisnik në afirmimin dhe zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare. Interesi i theksuar i artistëve për të marrë pjesë në këtë ekspozitë, e përforcon bindjen se shoqata ka arritur pjekurinë, dhe si i tillë është bastion i artistëve shqiptarë, ku kultivohet dhe afirmohen vlerat e artit pamor, si dhe mundësi për artistët e rinj të cilët hapërimet e vërteta artistike i kanë filluar në këtë shoqatë, si dhe rritjen e tyre individuale.
Shoqata e Artistëve Figurativë “Draudacum” e do të vazhdojë edhe më tej të notojë fuqishëm në botën globale artistike dhe sigurisht se do të festojë edhe shumë përvjetorë, manifestime dhe ngjarje kulturore.