ME ART, PËR ARTIN! Nga Vlora Demiri

Është e mahnitshme se në pyetjen ç’është arti, ai mbetet gjithmonë një koncept që merr mijëra përgjigje të ndryshme. Përgjigje këto, të cilat vënë përballë periudha, breza, perceptime e ndjesi. Përgjigje ku petku i vërtetësisë u shkon të gjithave pa dallim se si paraqiten ato. I radhitur si një ndër konceptet më të çuditshme, ai “shqetëson” jo vetëm artistin dhe artdashësit, por të gjithë ata që i prek. Pavarësisht se sa i ndryshëm mund të jetë ky sistem perceptimesh, ajo çka i lidh ato, është fakti që arti është një meduzë transformuese, e cila nëpërmjet shqisave në një mënyrë shumë delikate arrin të aktivizojë sistemin kritik të botëkuptimit. Nga ana tjetër, në mesin e këtyre pyetjeve që na shtyn të kuptojmë atë, më e thjeshtë është “Çka tregon arti?” sepse në të, kemi vetë të vërtetën, njeriun me të gjitha kthesat, gëzimin, trishtimin, ambiciet dhe pafajësinë e tij…
Takimet artistike të Draudacum kanë qenë gjithmonë një plejadë, në të cilën komuniteti artistik i ardhur nga një shtrirje e gjërë gjeografike, pikëtakon artin në mes vete dhe me përkrahësit moral të tij. Janë këto ekspozita të përvitshme kolektive që këtij qyteti të vogël i sjellin gjallërinë artistike dhe miqësore. Këto takime, paraqesin kremtimin, por në të njëjtën kohë janë hapësira ku arti pasqyron realitetin aktual dhe vetitë e tij transformuese krijojnë dëshirën për reflektimin tonë ndaj këtij realiteti.
Nëntori i Draudacumit është festa e kremtimit të artit, e cila na vjen në mediume dhe forma të ndryshme, por që formon mozaikun e artit shqiptar. Ashtu si vitet paraprake, edhe këtë vit kjo ekspozitë mirëpret emra të njohur të botës artistike vendase, por mbi të gjitha hap rrugë për trasimin e karrierës së artistëve të rinj, të cilët dëshmojnë vazhdimësinë e traditës dhe pasurisë artistike të këtij vendi.
Në një shumëllojshmëri të dallueshme artistët na vinë në shprehje dhe gjuhë artistike të ndryshme, por që secili në mënyrën e vet, sjell në mënyrë unikate një copë nga realiteti i përbashkët. Pikturat, skulpturat dhe fotografitë ekspresive të kësaj ekspozite, triumfojnë duke na dhënë një origjinalitet të theksuar të secilit artist pjesëmarrës. Ky bashkim ndryshimesh e kthen këtë event në një tërësi shumëllojshmërish, tek e cila dëshmohet vlera e artit të lirë.
Me një përkushtim të plotë dhe me një mikpritje të veçantë, Draudacum me miqtë e tij mbeten gardianë të përbetuar të vlerave të mirëfillta artistiko-kulturore. Kronologjia e bujshme historike e kësaj ekpozite dëshmon se arti në të njëjtën kohë është shërues, por edhe thumbues i realitetit dhe se nëpërmjet tij artisti, vepra dhe shikuesi mishërohen brenda një kauze të vetme.
Me art, për artin!