Harmonia e vendosur mes artistit dhe historisë nga Lulzim Haziri

Gjatë rrugëtimit drejt dekadës së dytë të formimit të saj, Shoqata e artistëve figurative në Maqedoni
“DRAUDACUM”, me seli në Gostivar vazhdon të dëshmojë se është në udhë të mbarë dhe s’ka devijuar
nga misioni i saj – promovimi I vlerave artistike të anëtarëve të vet dhe artistëve në përgjithësi dhe
shënimi i datave të rëndësishme historike. Edhe këtë vit, kjo shoqatë, me përkushtim dhe me kritere të
rrepta vlerësuese, arriti të përmbledh vlerat më të arrira mes dy nëntorëve dhe tua prezantoj
artdashësve besnikë në këtë ekspozitë.
Ekspozita tradicionale mbarëkombëtare “Çmimi i Nëntorit”, e cila mbahet me rastin e festës së 28
Nëntorit, Ditës së Flamurit, e këtij viti vetëm se dëshmon seriozitetin e kësaj shoqate përmes ruajtjes së
vazhdueshmërisë së aktiviteteve tradicionale, me këtë edhe dëshmimin e synimit për të krijuar
aktivitete të qëndrueshme, insistimin e saj për t’iu sfiduar antivlerave dhe improvizimeve, mosdorëzimin
e saj ndaj ndikimeve të jashtme të trendeve efemere si dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj anëtarëve të
rinj dhe mysafirëve, që për çdo vit e freskojnë “Çmimin e Nëntorit”.
Nëse do të mundoheshim të gjejmë veçantitë e konkurruesve për këtë çmim, do të thoshim se këtë
ekspozitë e veçojnë dallimet. Hasim zhanre të ndryshme si, pikturë, skulpturë, grafikë dhe fotografi, i
gjejmë punimet e artistëve që prezantohen për herë të parë përkrah atyre artistëve që tashmë kanë
bërë emër, si dhe dallimet në teknika, motive, forma etj.
Duke mos dashur që të kërkoj emëruesin e përbashkët artistik të gjithë këtyre punime që kanë
konkurruar për “Çmimin e Nëntorit”, nga një soditje me ngulm në punimet e ekspozuara mund të
përkufizohet se veçantitë artistike mund të korrespondojnë me njëra-tjetrën kur krijohen me një qëllim,
përmes harmonisë së vendosur mes artistit dhe historisë, përmes ngulmit për të qenë I veçantë në mini-
univers, për ta pasuruar atë duke dhënë e duke marrë nga vlerat kombëtare, qofshin ato artistike, etike
apo shoqërore, dhe mbi të gjitha, përmes dëshirës së të gjithëve për të qenë pjesë e një feste siç është
Dita e Flamurit.
Të gjitha punimet e kësaj ekspozite kanë të përbashkët synimin e artistëve për të qenë pjesë e botës
moderne figurative, duke rrëzuar kështu barrierat kulturore, duke i flakur paragjykimet për artin si mjet
për të ndryshuar botën, por të bindur se arti e fisnikëron atë, shpirtit njerëzor i jep trajtë, e mbi të gjitha
e bëjnë Gostivarin qytet strumbullar të vlerave dhe aktiviteteve figurative. Kjo nuk është e lehtë dhe
nuk arrihet me një ekspozitë. Nuk mjafton as vullneti dhe dëshira. Duhet besim, përkushtim, përkrahje,
punë e përbashkët, insistim në prezantim të vlerave të mirëfillta, profesionalizëm në punë dhe përkrahje
më e gjerë, veti këto që nuk i mungojnë anëtarëve të shoqatës “DRAUDACUM”.