Nga tempull në përjetësi: 25 vite Draudacum
Reflektim mbi rolin e artit në identitetin kulturor, me rastin e 25-vjetorit të veprimtarisë së Shoqatës “Draudacum”.
Në kodin gjenetik të një kombi apo qytetërimi arti është pjesë e pandashme e ADN-së kulturore që formëson identitetin e tij. Ky kod i fuqishëm është trashëgimia shpirtërore dhe estetike, me anë të së cilit mundësohet përjetësia historike. Kjo qelizë gjenetike jetësohet përmes ruajtësve të shenjtë të këtij kodi gjenetik, artistëve, të cilët këtë detyrë fisnike e bartin me përkushtin e përgjegjësi. Këta, jo vetëm si krijues, por si shenjtorë të përzgjedhur, ndjekin një mision të madhërishëm që mbajnë të gjallë kujtesën dhe e përhapin atë në kohë e hapësirë, në mënyrë që vlerat, ndjenjat dhe historitë e një populli të mos humbasin kurrë.
Ashtu si faltoret e ndërtuara për të ruajtur besimet shpirtërore, shoqatat artistike ruajnë esencën e asaj që është më e larta në natyrën njerëzore, aftësinë për të krijuar dhe frymëzuar. Në këto hapësira të shenjta arti është më shumë se sa formë, ai është lidhja e përjetshme mes gjeneratash.
Draudacumi për Gostivarin, për komunitetin artistik dhe artdashësit është tempulli dhe vendi ku artistët gjetën altarin për ta përfaqësuar denjësisht shpirtin dhe vlerën e artit shqiptar. Ky çerek shekulli nuk është vetëm rrjedhë kohore, por fakt i devotshmërisë së misionit të kësaj shoqate. 25 vitet e Draudacumit janë si vargje të një psalmi, ku çdo varg mbart peshën e sakrificës dhe përkushtimit të artistëve që patën guxim të madh në një qytet të vogël. Veprimtaria e saj është thesar që për këto vite me rradhë mblodhi vizionet dhe përvojat e misionarëve artistik shqiptar duke i ruajtur në kujtesën kolektive artistike të këtij populli. Kjo kujtesë, e cila i tejkalon kufijtë e kohës dhe hapësirës është fragment i përjetësisë që na lidh me të kaluarën dhe njëkohësisht ndriçon të ardhmen.
Çdo aktivitet i kësaj shoqate paraqet një gur në ndërtimin e këtij monumenti të fuqishëm të artistëve që e kanë fomuar atë. Draudacumi ka qenë dhe mbetet mundësi për të gjithë ata që kanë kërkuar një vend për ta shprehur vizionin e tyre dhe vazhdon të jetë hapësirë e shenjtë ku artistët mund të ndjekin thirrjen e tyre të brendshme.
Kremtimi i 25 vjetorit të Draudacumit përkujton një periudhë të pasur me kontributet e shumë artistëve që kanë hedhur gjurmët e artit të tyre në këtë bashkësi dhe krijojnë një trashigimi të përjetshme. Ky kremtim nënkupton sfidat dhe momentet e triumfit që dëshmojnë se arti nuk është vetëm një luks estetik, por një domosdoshmëri shpirtërore. Çdo brez artisëstësh ka sjellë jo vetëm përvojën unike, por edhe ndërlidhjen e thellë me të kaluarën, me ata që kanë hapur rrugën para tyre.
Dialogu mes brezave ruhet brenda mureve të Draudacumit, duke krijuar një rrëfim të përbashkët artistik që e siguron trashëgiminë të mos mbetet statike, por të pulsojë me energjinë e çdo brezi që vjen. Kjo bashkësi e shenjtë është më shumë sesa një shkollë që synon thjesht transmetimin e dijes. Ajo është përcjellje e esencës së artit, ku çdo artist i ri ka mundësinë të ngrihet mbi themelet e sigurta të pararendësve të tij, për të eksploruar, eksperimentuar dhe shprehur identitetin e tij mes sfidave të botës moderne.
Draudacumi dhe veprimtaria e tij artistike nuk është vetëm një pikëtakim i artit shqiptar, por një reflektim i mikëpritjes të këtyre trojeve ndaj artistëve dhe artit përtej kufijve. Fuqia e gjuhës universale të artit brenda këtyre viteve ka bërë që falë Draudacumit, ky qytet i vogël të jetë e përbashkëta e përvojave, reflektimeve dhe miqësive të misionarëve artistik nga e gjithë bota. Ai është dhe do të mbetet një ndër vlerat më të theksuara të përpjekjeve artistike të këtij vendi. Misioni i tij mbetet vazhdimësia e ruajtes dhe krijimi i një ure të sigurt që do të lejojë të ardhmen artistike të ngrihet mbi të.
Draudacumi është një qenësi brenda një komuniteti që nuk pranon të harrohet. Ai do të mbetet i lashtë, i përjetshëm ashtu si emri që mban. Ai është një testament shpirtëror, një thesar i kujtesës dhe një stoli e përjetësisë së misionit artistik.
nga Vlora Demiri, historiane arti